AlbanianSport.com 23/01/2019 21:35
ASNN – Janë luajtur të mërkurën 6 takimet e tjera të para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë dhe spikat fitorja 2-1 që Apolonia arriti në Fier ndaj Kukësit. Teuta ka hedhur një hap të sigurt përpara drejt vendit në çerekfinale, duke marrë një fitore 3-1 në Lushnjë ndaj skuadrës vendase.
Në takimet e tjera të turit të 16-shes, Bylisi u hakmorr ndaj Laçit, duke e mundur 2-0 në shtëpi, me të dy golat e shënuar nga ballshiotët në pjesën e dytë. Ndërkaq, Luftëtari nuk ka gabuar në Rrogozhinë ndaj Egnatias dhe fituar me rezultatin bindës 3-0, duke e bërë ndeshjen e kthimit një formalitet.
Takimet e para të dy çifteve të para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë janë luajtur të martën dhe në Fushë-Krujë, Partizani ka kapërcyer pësimin e një goli, duke marrë një fitore 4-2 ndaj Kastriotit dhe duke e bërë kështu vendin në çerekfinale një realitet të prekshëm.
Në takimin tjetër të së martës, edhe Skënderbeu nuk ka gabuar përballë Besëlidhjes vendase, duke marrë një fitore 2-1 në Lezhë. Ndeshja e mbrëmjes, midis Tiranës dhe Flamurtarit, u ndërpre në minutën e 20-të, për shkak të terrenit të rënduar nga reshjet e dendura të shiut dhe do të vazhdojë të enjten, duke nisur nga ora 13:00.