AlbanianSport.com 18/03/2021 22:25
ASNN – Komiteti “HatTrick” i UEFA-s është mbledhur të enjten përmes një video-konference për të diskutuar ecurinë e projekteve të qeverisë së futbollit evropian si edhe procesin e zbatimit të tyre. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili përveçse anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është edhe Nën-Kryetari i këtij Komiteti.
Temat kryesore të diskutuara në këtë mbledhje kanë qenë shqyrtimi dhe miratimi i projekteve të paraqitura në komitet, por edhe aspekte të përgjegjësisë sociale të futbollit. Gjithashtu në mbledhje janë diskutuar edhe statusi i programit “HatTrick” të UEFA-s, bashkëpunimi në projektin e zhvillimit të futbollit “FIFA Forward”, si edhe ecuria e punës së Akademisë së UEFA-s.
Në fund, u vendos që takimi i radhës i Komitetit “HatTrick” të organizmit që qeveris futbollin kontinental të zhvillohet në Tiranë, më 23 shtator 2021. Në fakt, një mbledhje e këtij komiteti në kryeqytetin shqiptar ishte parashikuar edhe më herët, por për shkak të epidemisë së “Covid-19”, programi është ndryshuar disa herë dhe mbledhja është zhvilluar online.