AlbanianSport.com 07/10/2021 15:40
ASNN – Komentatori dhe gazetari i njohur sportiv, Kosta Grillo i cili u nda nga jeta mëngjesin e së martës, u përcoll sot për në banesën e fundit. Grilla u nda nga jeta për shkak se nuk arriti ta fitonte dot betejën me “Covid-19”, pas dy muajve i shtruar në Turqi. Ditën e enjten, në mjediset e Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet janë zhvilluar homazhet në nder të komentatorit, ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ilir Shulku si edhe gazetarë dhe figura të njohura të botës së sportit.
Në një prononcim për mediat, presidenti Duka shprehu ngushëllimet për familjen e Kosta Grillos, për humbjen e të dashurit të tyre si dhe për të gjithë miqtë dhe komunitetin e futbollit, duke e konsideruar ditën e sotme si një ditë zie. “Është një ditë zie për të gjithë ne, komunitetin e futbollit, për median sportive, për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër apo nga ekrani Kosta Grillon, një nga figurat e gazetarisë, por i përfshirë akoma më shumë sesa në dimensionin e një gazetari apo komentatori në botën e futbollit, në marrëdhëniet me gjithë futbollin”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend.
“Në këtë periudhë kemi humbur shumë nga njerëzit tanë, fatkeqësisht, megjithëse të gjithë miqtë e tij u munduan ta mbajnë Kostën në jetë, por ishte e pamundur. Ai luftoi shumë me këtë virus që ka pllakosur botën, por nuk arriti t’ia dalë. Sot në këtë ditë vërtetë zie, i shpreh ngushëllimet e mia kolegëve, komunitetit sportiv si dhe më shumë familjes që humbën të dashurin e zemrës. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, – ka përfunduar Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kosta Grillo do të prehet në vendlindjen e tij në Vuno.