Përshtatur nga ABC News 26.09.2015 07:50
Tirana shpreson për titullin me golat e Masato Fukuit, japonezit të parë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në fakt, kartvizita e tij ishte ai gol i shënuar në mënyrë instinktive me gjoks që fiksoi fitoren në Pukë ndaj Tërbunit vendas. Masato Fukui tërhoqi vëmendjen e Tiranës, duke u bërë japonezi i parë që militon në historinë e kampionatit shqiptar të futbollit.
26-vjeçari i ardhur këtë verë nga Sutjeska e Nikshiçit të Malit të Zi po tregon se nuk është vetëm një gjetje ekzotike e klubit kryeqytetas. Dy gola dhe shumë kontribut në 4 javë kampionat përbëjnë një garanci. Për momentin, ai nuk mund të flasë që publiku shqiptar ta dëgjojë. Tirana ka shpallur heshtje shtypi, madje shumë ditë përpara humbjes me Skënderbeun që e la 7 pikë prapa kampionëve në Superiore.
Fukui mund të tregojë veten vetëm duke luajtur ndeshjet dhe duke u stërvitur siç duhet.
Duke mos ditur gjuhën shqipe, e duke çaluar ndjeshëm në anglisht, japonezi rrezikonte të mos përshtatej shpejt. Veçse, futbolli ka gjuhën e tij sidomos për ata që e dinë ta përdorin, ndaj edhe djaloshi nga jugu i Japonisë nuk pati asnjë problem tek 24 herë kampionët e Shqipërisë.
Për më tepër, Fukui ka 3 vjet në versionin e qytetarit të botës. Pasi luajti në vendin e tij për Gainare Totorin e kategorisë së tretë, provoi Superligën e Singaporit dhe pastaj atë të Malit të Zi, për ta patur ndalesën e radhës në Tiranë. Fiton 4,000 dollarë në muaj, ndonëse klubi është i rezervuar për shifrat zyrtare të rrogave, dhe ndihet shumë mirë në kryeqytet, natyrisht në vendet e përshtatshme që nuk mungojnë.
Trajneri Muça e cilëson si një nga lojtarët bazë të skuadrës, edhe pse nuk ka dashur kurrë të flasë në mënyrë të përveçme për futbollistët e tij. Edhe tifozët, ndonëse janë mësuar të adhurojnë më shumë vendasit autoktonë, e duan këtë personazh të lindur tepër në Lindje. Ku i dihet, Masato Fukui mund ta ndihmojë Tiranën që ta fitojë titullin “kampion” pas 7 vjetësh.