Gjergj Vyshka 30.11.2014 17:15
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në morinë e aktiviteteve që janë zhvilluar në kuadrin e festimeve të 70-vjetorit të Çlirimit, dje në Tiranë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale të kryeqytetit ka organizuar një maratonë vrapimi.
Maratona është zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, atje ku kanë marrë pjesë 12 mijë nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Në përfundim të saj për djem për shkollat 9-vjeçare ka dalë fitues Elion Rrahmani i shkollës “Xhezmi Delli”, kurse për vajza, po për shkollat 9-vjeçare, Elena Kote e shkollës “Avni Rustemi”.
Tek shkollat e mesme për djem ka dalë fitues Maksimiljano Boja i shkollës “Petro Nini Luarasi”, ndërsa për vajza Ejona Cufe po e shkollës “Petro Nini Luarasi”. Dhe shkollat më të mira si për djem, ashtu dhe për vajza, janë shpallur “Isa Boletini” dhe “Petro Nini Luarasi”.
Ndërkohë që për fituesit janë shpërndarë medalje dhe diploma. Të paktën dhe sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, i njëjti aktivitet është bërë dhe në Elbasan e Korçë ditë më parë, ndërsa është zhvilluar dhe një promovim i atletikës në shkolla.