AlbanianSport.com 21.11.2014 09:20
ASNN – Lënda e edukimit fizik, tashmë e shtrirë në 3 orë në javë, nga dy që ishte vitet e shkuara, duhet shndërruar në një përvojë sa më tërheqëse dhe të shëndetshme për nxënësit dhe fëmijët. Kjo është ajo që Zëvendës-Ministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, ka kërkuar nga mësuesit e Fizkulturës në Sarandë dhe Delvinë, ku ka zhvilluar edhe një orë praktike mësimore.
Zëvendës-ministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, ka dhënë të enjten në Sarandë një leksion të hapur mbi zhvillimin e procesit mësimor të Fizkulturës. Si fillim në gjimnazin “Hasan Tasini” ai u është drejtuar gjimnazistëve në klasa për të marrë një opinion lidhur me zhvillimin e orës së fizkulturës, tashmë e kthyer në risinë 3 orë në javë. Gjimnazistët kanë pohuar se ora ka mbetur tradicionale dhe pa fantazi.
Zëvendës-ministri ka vijuar më tej në takimin e hapur me mësuesit e edukimit fizik në Sarandë dhe Delvinë, me një orë mësimi plot ushtrime në oborrin e gjimnazit.
Sipas drejtuesve të zyrës arsimore janë ende 14 mësues të pa gjetur për lëndën e fizkulturës. Sipas zëvendësministrit Rauf Dimraj kjo situatë në Sarandë është e patolerueshme, ndërsa janë shpërndarë edhe paketa si duhet zhvilluar ora e mësimit. Trajnimi i hapur në prani të gjimnazistëve përkoi me një klimë interesi në rritje për procesin mësimor.