AlbanianSport.com 12/02/2019 13:25
ASNN – “Tata” Martino” ka marrë detyrën e trajnerit të Meksikës në futboll. Ai ka zhvilluar edhe stërvitjen e parë. Federata Meksikane e Futbollit (FFM) ka deklaruar se misioni i Martinos është t’i japë fund mallkimit të çerekfinaleve të përfaqësues së tyre në kupat e botës, gjë që zgjat prej 7 edicionesh. Synimi për Martinon duhet arritur që në “Katar 2022”. Gerardo Martino ka zhvilluar stërvitjen e parë me Meksikën.
Ai e ka marrë këtë detyrë me qëllimin për ta çuar Meksikën në çerekfinalet e Botërorit, gjë që nuk e arrin prej më shumë se tre dhjetëvjeçarësh. Martino, i cili ka drejtuar më parë edhe përfaqësueset e Argjentinës e Paraguajit, ka zëvendësuar Huan Karlos Osorion. Trajneri me nofkën “Tata”, pranoi të marrë përsipër misionin për t’i dhënë fund mallkimit të çerekfinaleve, që i ka zgjatur për 7 Botërorë.
E këtë gjë duan ta arrijnë në “Katar 2022”. “Unë jam duke folur me bordin drejtues për të arritur këtë objektiv në Botëror, por para kësaj, dua të vendos një sistem të ri loje dhe të kem ide të qarta, – tha Martino. – Ne nuk do të arrijmë me magji atje”. Martino, 56 vjeç, vjen nga një sezon i mirë në kampionatin amerikan të futbollit (MLS) në Shtetet e Bashkuara, ku ai e drejtoi Atlanta United drejt titullit të pestë, duke u emëruar trajner i vitit.
Federata Meksikane e Futbollit nuk dha detaje mbi marrëveshjen e saj me Martinon, por presidenti i saj, Jon de Luisa, tha se trajneri ishte zgjedhur për të drejtuar ekipin në Katar. “Kontrata me Martinon është ajo e ciklit të Botërorit, për 4 vjet”, – tha ai. Federata meksikane ka shtuar më tej se kishte intervistuar 24 kandidatë përpara se të nënshkruante Martino. Argjentinasi do të bëjë debutimin e tij me Meksikën më 22 mars në një miqësore kundër Kilit në San Diego të Kalifornisë.