Nga Gjergj Vyshka 14.10.2016 18:55
Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar, edhe pse ka një marrëveshje të shkruar dhe të firmosur me Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe të Volejbollit, edhe këtë javë nuk do të transmetojë direkt ndeshje të lojërave me dorë. Sipas drejtorit të departamentit të sportit në TVSH, Pano Xhixho, ishte parashikuar të jepej direkt sfida e basketbollit të meshkujve, Tirana-Vllaznia, si dhe ajo e volejbollit të meshkujve, Partizani-Vllaznia.
“Por zhvillimi i këtyre ndeshjeve në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” dhe në sallën nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa asnjë nga klubet nuk kishe dëshirë të lëvizte për në sallën kryesore, atëherë nuk mund t’i japim ndeshjet, – ka sqaruar përfaqësuesi i RTSH-së. – Sepse në asnjë nga këto salla nuk janë mundësitë për të dhënë ndeshje në mënyrë komode”.
E për rrjedhojë ato që humbin janë klubet, të cilat duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për t’i krijuar mundësinë të gjithë shqiptarëve që të jepen ndeshjet në TVSH. Nuk duhet harruar që janë transmetuar nga TeleSporti, por me një kamera dhe ajo në krah. Viti i parë është falas për të drejtën televizive, çfarë do të ndodhte nëse klubet do të ishin fitues nga kjo e drejtë, nëse nuk krijohen kushtet për TVSH-në?
Në këtë rast, kur dhe javën e kaluar nuk u dha Partizani-Barleti Volej, sepse u luajt në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ato që humbin janë klubet, por dhe vetë lojërat me dorë që do të kishin më shumë imazh. Ndaj duhet një koordinim më i mirë i orareve të ndeshjeve, sallave dhe TVSH-së për t’i dhënë këto ndeshje për publikun. Ndryshe lojërat me dorë do të vijojnë të jenë më shumë se të humbura dhe pa interes.