AlbanianSport.com 13/09/2018 15:45
ASNN – Skuadra e “Dukati”-t ka fituar tanimë 3 gara radhazi, por duket se fillimi i ngadaltë i 2018-ës nga Horhe Lorenco dhe ai fillim i vështirë i sezonit nga Andrea Doviciozo, i dha mundësi Mark Markezit që të krijojë një epërsi që ka të ngjarë të rezultojë e paarritshme. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë piloti spanjoll i “Hondë”-s, i cili synon të mbrojë titullin e kampionit të botës në Moto GP.
Kreu i renditjes së Moto GP-së, Mark Markez, ka deklaruar se koha e përmirësimit të paraqitjes së “Dukati”-t ka qenë mjaft fatsjellëse për shpresat e tij për të mbrojtur titullin “kampion”. Skuadra e “Dukati”-t ka fituar tanimë 3 gara radhazi, por duket se fillimi i ngadaltë i 2018-ës nga Horhe Lorenco dhe ai fillim i vështirë i sezonit nga Andrea Doviciozo, i dha mundësi Markezit që të krijojë një epërsi që ka të ngjarë të rezultojë e paarritshme.
“Fatmirësisht për ne, ata u bënë shumë, shumë të fortë në gjysmën e dytë të sezonit, – ka deklaruar Markezi të enjten pasdite. – Ne kemi një epërsi prej 67 pikësh kundrejt Doviciozos dhe duhet ta administrojmë atë. Edhe nëse ata fitojnë 5 pikë kundrejt nesh në çdo garë, ne do të jemi në krye.” Megjithatë, edhe vetë Markezi e pranon se motori i tij “Honda RC213V” ishte më i miri në vijën e nisjes në fillim të këtij sezoni, por beson tanimë motori “Dukati” GP18 është më i miri.
“Është e vështirë që ta kuptosh, sepse dihet që bari në kopshtin e fqinjit është gjithnjë më i gjelbër sesa ai i yti, – ka theksuar spanjolli duke bërë një paralelizëm. – Prandaj them që, përderisa nuk e ka ngarë atë motor, nuk mund ta dish asnjëherë. Por ajo që unë kam parë në pistë, në pjesën e parë të sezonit, gjatë 4 apo 5 garave të para, unë kisha motorin më të mirë. Tani më ngjan se motori më i mirë është “Dukati”, por kjo është edhe çështje bashkëpunimi midis pilotëve dhe skuadrës.”