AlbanianSport.com 01/03/2019 16:35
ASNN – Ish-ylli i futbollit të Brazilit, Ronaldinjo, merr një tjetër nderim nga vendi i tij. Në stadiumin mitik “Marakana” në Rio de Janeiro, janë vendosur disa piktura dhe relike në nder të tij. Tepër i surprizuar dhe i mrekulluar me atë çka shikon, Ronaldinjo shprehet: “Jam shumë i lumtur që mund të rikthehem në “Marakana”, këtë herë duke marrë këtë dhuratë nga miku im”, – ka thënë ai.
“Isha shumë kureshtar të shihja ato gjëra që ishin bërë për mua, – shtoi sulmuesi brazilian tepër i emocionuar teksa shikon një nga një pikturat e bëra për të. – Është e vështirë për të gjetur fjalët për të përshkruar një emocion të tillë, kurrë nuk e kisha imagjinuar se kjo do të më ndodhte pas largimit tim nga futbolli. Duket se Zoti është treguar shumë i mirë me mua.”
Ndërsa Emerson Karvajo, piktori që ka bërë miniekspozitën për Ronaldinjon tregon se ajo u frymëzua duke imagjinuar gola që futbollisti nuk i kishte realizuar. “Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte që të krijoj disa gola që nuk ndodhën, – tha Karvajo, – por që përmes këmbëve të Ronaldinjos mund të ndodhte. E menjëherë mora penelin dhe e hodha imagjinatën time në telajo.”
“Jam i bindur se këto gjëra do të mbesin përgjithnjë në mendjen e njerëzve, sepse, sa herë t’i shikojnë këto piktura do të imagjinojnë gjërat e bukura që ka bërë Ronaldinjo në futboll”, – ka përfunduar piktori brazilian.