AlbanianSport.com 08/03/2019 17:30
ASNN – Legjenda e futbollit botëror Diego Armando Maradona vijon të jetë në qendër të vëmendjes. Këtë herë jo për futbollin e as për shëndetin e tij, por për një lajm akoma më tronditës. Raportohet se 3 fëmijë në Kubë presin që të marrin atësinë e tij dhe në fakt Maradona nuk e ka fshehur se ka tre fëmijë në vendin komunist, të lindur gjatë kohës kur ai kishte miqësi të ngushtë me ish-liderin suprem të Kubës, Fidel Kastron.
Raportohet madje se Maradona ka një djalë 18-vjeçar në Kubë dhe mbetet vetëm që të bëhet testi i ADN-së dhe të konfirmohet edhe zyrtarisht që “Dora e Zotit” është babai i tyre. Lindja e këtyre fëmijëve është bërë gjatë kohës që Maradona ishte ndarë nga gruaja e parë e tij, Klaudia Vilafane. Informacionet i ka dhënë avokati i Maradonës, Morla.
Ai tha se së shpejti kjo çështje do të sqarohet dhe se klienti i tij është i lumtur që do t’u njihet atësia e fëmijëve. “Gjithçka do të vërtetohet së shpejti, – tha avokati i Maradonës, Morla, i cili nuk e mohoi kontaktin e legjendës me fëmijët në Kubë. – Maradona do të udhëtojë për në Kupë për të bërë testin e ADN-së. Diego komunikon me të 3 fëmijët rregullisht dhe ka ndërmend të marrë atësinë dhe të gjitha përgjegjësitë që i takojnë.”
Deri më sot, zyrtarisht, Maradonës i njiheshin 5 fëmijë: Dalman dhe Xhanina, nga martesa me Klaudia Vilafane, Diego Armando Xhunior, i lindur nga lidhja me Kristiana Sinagra, Xhanan, e bija e Valeria Sabalain, të cilën ikona e futbollit argjentinas dhe atij botëror e njohu në vitin 2007, dhe në fund Diego Fernandon të cilin e ka nga lidhja me Veronika Ojedan.
Xhanina, e cila është vajza e dytë e Maradonës, në lidhje më këtë çështje, është shprehur me ironi se “golave” të Maradonës u mungojnë edhe tre të tjerë që të formohet një skuadër futbolli. “Na mungojnë vetëm 3 për të formuar një skuadër futbolli. Ti mund t’ia dalësh!”, shkruan ajo në rrjetet sociale, dukshëm e pakënaqur që fama e njërit prej më të mëdhenjve të futbollit botëror do të duhet tashmë të ndahet ndërmjet shumë fëmijëve.