AlbanianSport.com 09/01/2019 21:05
ASNN – Sapo del nga spitali Maradona i turret Mesit: “Nuk është lider, më mirë mos vijë më tek Argjentina”. Ai la spitalin para pak ditësh, ku kaloi një shqetësim jo të vogël pas një hemorragjie të brendshme, por Diego Armando Maradona, një prej më të mirëve që ka luajtur ndonjëherë futboll, nuk rri larg fushave dhe debatit futbollistik. Edhe një herë tjetër ai ka komentuar kombëtaren argjentinase, duke “shigjetuar” Lionel Mesin, të cilin e sheh njeri shumë të mirë, por jo të përshtatshëm për përfaqësuesen bardhekaltër.
“E dua Mesin me gjithë zemër, – thotë Maradona për gazetën e njohur “Ole”. – Ata (zyrtarët e Federatës Argjentinase të Futbollit) duan ta bëjnë atë lider, por ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse ai dëshiron të jetë në botën e tij sportive dhe me familjen e tij. Mesi shkëlqen me Barcelonën, sepse atje ka shokë cilësorë, me të cilët luan prej kohësh dhe krijojnë një ansambël që e ndihmojnë atë të japë më të mirën.”
“Argjentina nuk ka lojtarët e kalibrit të Barcelonës dhe me përfaqësuesen nuk ia del të marrë maksimumin, – vijoi më tej legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror. – Dhe i vetëm ai nuk mund t’ia dalë. Të ndodhë kjo duhet të jesh lider i kësja skuadre, një rol që Mesi fatkeqësisht nuk e mori dot në krye të përfaqësueses së Argjentinës.” Më herët, ish-ylli i Napolit dhe fitues i Botërorit “Meksikë 1986”, Maradona, kishte deklaruar me ironi se Mesi shkon 20 herë në tualet para se të futet në fushë me Argjentinën.
Maadje shkoi më tej duke thënë se po të ishte trajner i përfaqësueses së vendit të tij nuk do ta merrte më “Pleshtin” në ekip. Edhe një herë tjetër, Maradona e bën Mesin “leckë” në mediat sportive botërore, pasi sulmuesi i Barcelonës për hir të së vërtetës, nuk ka fituar një trofe të madh me përfaqësuesen e vendit të tij.