AlbanianSport.com 30/11/2018 11:30
ASNN – Maradona s’është trajner i madh? Mos u nxitoni, po shkruan historinë me një klub meksikan. Diego Armando Maradona mund të konsiderohet si një prej futbollistëve më të mirë që ka parë ky sport që nga krijimi i tij, madje për shumë specialistë dhe futbollddashs, ai është më i miri i të gjitha kohërave. Por si trajner ai vazhdimisht ka zhgënjyer, thuajse me të gjitha ekipet që ka drejtuar.
Ndoshta mungesa e përvojës, ndoshta skuadrat jo aq cilësore që ka marrë për të drejtuar, etj., por është fakt që si trajner nuk ka shkëlqyer. Megjithatë, shprehja “mos u nxitoni në konkluzione të parakohshme” vlen për Maradonën si trajner. Kjo pasi ai po regjistron një sukses historik në ligën e dytë të Meksikës me skuadrën e tij Dorados de Sinaloa.
Skuadra e të mbiquajturit “Dora e Zotit”, vijon ëndrrën e saj për tu ngjitur në ligën e parë meksikane, duke qenë tashmë vetëm një hap larg superfinales ku ndeshen fituesja e “Apertura”-s me fituesen e “Clausura”-s . Ekipi i Maradonës mposhti në finalen e parë të “Apertura”-s në Liga de Askenso, 1-0 klubin Atletiko San Luis. Një tjetër fakt interesant që vihet në pah në mediat hispanike në tërësi, ka të bëjë me atë që Maradona e mori skuadrën e Dorados de Sinaloas në vendin e 13-të.
Dhe tani po e ngjit në ligën kryesore të futbollit meksikan. Skuadra e legjendës argjentinase fitoi me një gol të vetëm të shënuar nga Riveira. Tani mbeten dhe 90 minuta për t’u luajtur që skuadra e Maradonës të ngjitet në elitë. Megjithatë, siç ndodh shpesh me Maradonën, edhe këtë herë nuk i shpëtoi kartonit të kuq për sjelljet e tij. Ishte kartoni i parë i kuq që kur mbërriti në Meksikë për të drejtuar këtë skuadër.
Në minutat e fundit të ndeshjes ai u përplas me gjyqtarët, duke mos pranuar vendimet e tyre që ishin të dyshimta. Në fakt, mediat shkruajnë se Maradona po e përjetonte ndeshjen më shumë se sa duhet dhe për këtë arsye kishte dalë nga “binarët”.