AlbanianSport.com 11/11/2018 11:05
ASNN – 14 javë dominim shqiptar në Maqedoni, Shkupi ndihmon Shkëndijën të marrë e vetme kryesimin. Shkëndija e Tetovës ka marrë më në fund e vetme kryesimin e kampionatit të futbollit në Maqedoni. U deshën 14 javë garë që tetovarët të diktonin epërsinë e tyre në ligën superiore të futbollit në vendin fqinj.
Në fakt, ky kryesim nuk do të ishte i plotë dhe i vetëm nëse Shkëndijën nuk do ta ndihmonte një tjetër skuadër shqiptare, Shkupi, i cili i shkaktoi disfatë Vardarit, rivalit më të madh të Shkëndijës, të cilin e mundi 1-0. Edhe pse Shkupi ndodhet në zonën e ftohtë e të rrezikshme të tabelës, ia doli që ta frenojë Vardarin në kryeqytetin maqedonas.
Nga ana e saj, Shkëndija mundi në fushë të huaj në Shkup Rabotniçkin, me rezultatin 2-1, duke marrë 3 pikë që e cojnë në vend të parë me 31 pikë, kurse Vardari mbetet i dyti me 28 pikë. Tashmë ekipi kuqezi mund të shohë i qetë përpara për sfidat e ardhshme.
Një tjetër skuadër shqiptare e Superligës së Maqedonisë, Renova, korri një fitore me vlerë në tetovë kundër Pobedës, me shifrat 2-1, duke u ngjitur në vend të 4-t me 19 pikë. E thënë ndryshe, ekipet shqiptare në fqinj lindor po bëjnë “ligjin” dhe nuk përjashtohet mundësia që të paktën dy prej tyre të luajnë në Kupat e Evropës.
Sepse, përveç Shkëndijës që synon titullin “kampion” dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, mund të shkojë në Ligën e Evropës si vend i tretë edhe Renova. Sidoqoftë, është ende herët për llogaritë, pasi kampionati në Maqedoni ka luajtur vetëm 14 javë dhe pritet të luhen edhe 22 të tjera, pra gjithçka është e hapur deri në fund.
Kampionati Maqedonas i Futbollit
Renditja e pas javës së 14-të:
Nr. Skuadra N. F. B H Pikë
- Shkëndija Tetovë 14 9 4 1 31
- Vardari Shkup 14 8 4 2 28
- Akademia Pandev 14 7 1 6 22
- Renova 14 5 4 5 19
- Pobeda 14 5 2 7 17
- Rabotniçki 14 5 2 7 17
- Makedonija 14 4 4 6 16
- Shkupi 14 4 3 7 15
- Sileks 14 3 5 6 14
- Belasika 14 3 5 6 14