AlbanianSport.com 12/02/2020 22:00
ASNN – Manifesti origjinal i Lojërave Olimpike i shkruar në vitin 1892 nga Pjer dë Kubertëni, i është dhuruar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, nga pronari i tij, Alisher Usmanov, President i Federatës Ndërkombëtare të Skermës. Miliarderi rus, Usmanov, e bleu manifestin me 14 faqe në një ankand në Nju Jork në dhjetor të vitit të shkuar, për 8.8 milion dollarë, një rekord i ri botëror në ankande për një artikull të memorandumeve sportive.
Dë Kubertëni përvijoi vizionin e tij për ringjalljen e Lojërave të Lashta Olimpike si një konkurs i ri ndërkombëtar në manifest. Ai argumentoi se përpjekja atletike kishte përfitime për individët dhe shoqërinë. Dorëshkrimi është kopja e vetme e njohur e fjalimit që Kubertëni mbajti në Paris në 1892-shin. Ai themeloi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dy vjet më vonë dhe Lojërat e para moderne u zhvilluan në 1896-ën në Athinë.
“Bujaria juaj po e bën të mundur këtë moment unik, një moment që na kujton aq qartë misionin e Lojërave Olimpike për të bashkuar botën në konkurrencë paqësore.” Me këto fjalë e falënderoi Usmanovin, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah. “Në sajë të bujarisë tuaj ne mund të reflektojmë në historinë tonë sot dhe të festojmë këtë lidhje të drejtpërdrejtë me babanë tonë themelues”, – shtoi ai, duke iu drejtuar bamirësit.
Usmanov, 66 vjeç, i lindur në Uzbekistan, bëri pasurinë e tij në industrinë e metaleve dhe minierave, përpara se të përhapej në telekomunikacion, teknologji dhe media. 66-vjeçari, një ish-aksioner në klubin anglez të Premier Ligës, Arsenalin, dhe aktualisht i lidhur me blerjen e disa aksioneve të Evertonit, u bë kreu i Federatës Ndërkombëtare të Skermës në 2008-ën.