AlbanianSport.com 31/10/2021 20:10
ASNN – Totenhem një skuadër e mërzitshme, Kejn dhe Son hije të vetvetes, asnjë gjuajtje në portë ndaj Mançester Junajtid. Roi Kin kritikon ashpër Totenhemin, duke e quajtur një skuadër “të dëshpëruar”, pas disfatës së qartë, 0-3 përballë Mançester Junajtid. Ai vuri në dyshim kontributin e Herri Kejnit. Në fakt, “Spërs” hynë në lojë duke kërkuar të rrisin presionin mbi trajnerin kundërshtar, Ole Gunar Solskjaer, skuadra e të cilit ishte ende duke e marrë veten nga humbja 0-5 që pësoi në shtëpi përballë Liverpulit javën e kaluar.
Por ishin lojtarët e Nunjo Espirito Santos ata që e gjetën veten në fund të një disfate gjithëpërfshirëse, pasi golat e Kristiano Ronaldos, Edinson Kavanit dhe Markus Rashfordit finalizuan lojën të përsosur për “Djajtë e kuq”. Tifozët e tërbuar londinezë u kthyen kundër kapitenit të Anglisë, Herri Kejn, duke e quajtuar madje atë një “hije të vetvetës”, pasi ai realizoi vetëm një goditje në portë, në një paraqitje të dëshpëruar të Totenhemit. Duke folur pas ndeshjes, Roi Kin sugjeroi se ish-klubi i tij nuk mund të kishte kërkuar një kundërshtar më të mirë për të kapërcyer humbjen e javës së kaluar përballë Liverpulit.
“Mendoj se ishte ndeshja perfekte për Mançester Junajtid në përballjen me Spurs, – tha ish-futbollisti irlandez. – Totenhemi është në gjendje të dëshpëruar. Ata kanë shënuar vetëm 9 gola në 10 ndeshje në Premier Ligë këtë sezon, rezultati më i keq i çdo skuadre në 10-shen e të parëve të renditjes. Unë mendoj se Son, Herri Kejni dhe Lukas Mura, janë përgjegjës për mungesën e golit në skuadër. Kejn dhe Mura duken një hije e lojtarëve që kanë qenë në të kaluarën e afërt. Ata kanë pasur 58 % të topit dhe nuk kanë bërë asgjë me të.”
Totenhemi ndodhet në vendin e 8-të tani dhe nuk arriti të regjistronte një goditje në portë, pavarësisht se e mbajti më tepër topin përballë Mançester Junajtid. Paraqitja e tyre e dobët u shoqërua edhe nga një kor tifozësh vendas me thirrjet “Ti nuk e ke idenë se çfarë po bën”, drejtuar trajnerit Nunjos.