AlbanianSport.com 16/02/2019 14:05
ASNN – Sipas mediave britanike, klubi anglez i ka bërë ofertë Borusias së Dortmundit për 18-vjeçarin. Mançester Junajtid ofron 80 milionë euro për yllin Borusias së Dortmundit. Xhejdon Sanço është një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni të futbollit evropian.
18-vjeçarit po mahnit me lojën në Bundesligë dhe në Ligën e Kampioneve me fanellën e Borusias së Dortmundit. Ai ka shënuar 8 gola dhe 13 pasime për gol në të gjitha veprimtaritë me verdhezinjtë, duke rënë në sy të Mançester Junajtid. Duket se “Djajtë e Kuq” në këtë moment kanë ndërmarrë hapa konkretë për të arritur tek talenti i ri anglez.
Sipas asaj që raporton e përditshmja britanike, “The Sun”, Mançester Junajtid është i gatshëm të ofrojë 80 milionë euro për të nisur negociatat. Sanço ndihet mirë për momentin tek Dortmund, por një ofertë nga një klub Premier Liga angleze, siç është Mançester Junajtid, vështirë ta refuzosh.
Ndërkohë lojtari, dy vjet më parë, ishte shitur nga Mançester Siti te Borusia e Dortmundit për 8 milionë euro. Duhet theksuar se Mançester Junajtid dhe Borusia e Dortmundit kanë marrëdhënie të mirë gjatë këtë viteve të fundit, duke dhënë e marrë lojtarë nga njëra-tjetra.