AlbanianSport.com 24/01/2021 20:10
ASNN – Mançester Junajtid e ka thelluar edhe më tepër krizën e Liverpulit, duke e eliminuar kampionen në fuqi të Premier Ligës nga Kupa e Anglisë (FA Cup) që në turin e 32-shes. Në fakt, miqtë kanë kaluar në epërsi pas 18 minutash lojë me anë të Mohamed Salahut.
Por “Djajtë e kuq” barazuan shifrat 6 minuta më vonë, me anë të Mejson Grinuudit. Në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë në mitikun “Olld Traford”, ndërsa e dyta do të shohë Mançester Junajtid të përmbysë shifrat në favorin e saj me anë të Markus Rashfordit.
Sërish Mohamed Salah barazoi shifrat për miqtë, me golin e tij të dytë në këtë ndeshje. Sidoqoftë, 12 minuta para fundit, Bruno Fernandes shënoi golin e 3-të dhe të fitores për Mançester Junajtid, që mbetet kështu në rrugë të mbarë për një triumf të dyfishtë në futbollin anglez këtë sezon.