AlbanianSport.com 09.09.2016 18:00
ASNN – Plot 46 futbollistë janë në grupin e Mamurrasit duke u stërvitur. Konfirmimi vjen nga trajneri Rezart Maho, i cili në prononcimin e tij për shtypin sportiv të ditës ka thënë se në fundjavë pritet të formohet skuadra e duhur. Pra që nënkupton se një pjesë e atyre lojtarëve, që janë stërvitur tek ky ekip, duhet të largohen. Maho shton se në stërvitje janë trajtuar të gjithë të ardhurit në mënyrë të njëjtë me qëllim zbulimin e elementëve të duhur.
“Sikurse është porositur i gjithë kontingjenti i lojtarëve se një ditë vjen momenti i përzgjedhjes, ndaj nuk dua të i hyj në “hak” asnjë futbollisti, – ka theksuar ai. – Stërvitjet janë zhvilluar nganjëherë dhe me dy seanca për të provuar gjendjen fizike dhe teknike të çdo lojtari. Sikurse janë provuar dhe në ndeshjet miqësore. Unë kam si qëllim të formoj grupin e duhur me lojtarët që kanë më shumë grintë dhe janë aktivë. Dua të konfirmoj se dyshja e lojtarëve të huaj si Ismael mesfushori i qendrës dhe sulmuesi Silva me pasaportë franceze e kanë kaluar provën e tyre.”
“Jam i bindur tek paraqitja e tyre e mirë, duke blinduar në një masë dy repartet kryesore”, – sqaron Maho. Ai ka shtuar se stafi teknik ka detyrën e perzgjedhjes së lojtarëve që do të bëhen pjesë e ekipit në këtë sezon futbollistik dhe më pas do t’i propozohet presidentit Ded Ndreca për miratimin e tyre. “Besoj se kam gjetur mirëkuptimin me tërë grupin e madh të lojtarëve pas asaj pune të lodhshme njëmujore duke shpresuar tek ky ekip për t’u renditur ndër ekipet pretendente”, – ka përfunduar trajneri Maho.