AlbanianSport.com 24/07/2022 17:55
ASNN – I falet defektit të Leklerkut dhe korr fitoren e 6-të të sezonit. Kampionati Botëror i Formulës 1 ka zhvilluar të dielën e garën e 12-të të saj, që sinjalizoi gjithashtu edhe nisjen e gjysmës së dytë të këtij sezoni, që po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar. Dhe ka qenë kampioni në fuqi i botës, Maks Verstapeni, i cili korri në Çmimin e Madh të Francës, fitoren e 6-të të këtij sezoni dhe, të 27-tën në karrierën e tij.
Ai e ka thelluar edhe më tepër kryesimin në renditjen e përgjithshme të pilotëve kundrejt ndjekësit më të afërt dhe rivalit të tij, Shark Lëklerkut. Në fakt, kjo ishte një fitore e dhuruar nga piloti i ri nga Montekarlo, i cili u nis nga vendi i parë me “Ferrari”-n e tij dhe, teksa po kryesonte i pashqetësuar, pasi Verstapeni kishte mbetur prapa pasi pati ndaluar për të ndërruar gomat, ai doli nga pista dhe u përplas me murin rrethues të pistës, duke e mbyllur garën e tij në xhiron e 17-të.
Që nga ai çast, gara u shndërrua në një formalitet për pilotin holandez të “Red Bull”-it, i cili vijoi t’i përshkonte pa probleme 36 xhirot e mbetura dhe të kalonte i pari vijën e finishit, i shkëputur mbi 10 sekonda nga Ljuis Hemiltoni, që mori, për herë të parë këtë sezon, vendin i dytë, ndërsa britanikut të “Mercedes”-it iu bashkua në podium shoku i skuadrës dhe bashkëatdhetari i tij, Xhorxh Rasëll, i cili, 3 xhiro para fundit, i vodhi vendin e 3-të Serxhio Perezit, me pilotin e “Red Bull”-it që e pagoi shtrenjtë humbjen e përqendrimit.
Karlos Sainz mbajti lart flamurin e “Ferrari”-t në këtë garë, duke marrë vendin e 5-të, një arritje e shkëlqyer kjo nëse mbahet parasysh se ai u nis nga vendi i 19-të, apo vendi i parafundit. Maks Verstapen kryeson tashmë në kuotën e 233 pikëve, 63 pikë më tepër sesa Lëklerk dhe 70 më tepër sesa Peres, ndërsa në renditjen ekipore, “Red Bull” është ngjitur në kuotën e 396 pikëve, i ndjekur nga “Ferrari”, me 314 dhe “Mercedes”-i me 270 pikë.