AlbanianSport.com 26.03.2017 20:55
ASNN – Lushnja ka mundur Pogradecin 2-1 në ndeshjen e javës së 21-të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Këto takime luhen për fazën e “play-off”-it, të cilat do të përcaktojnë se cila skuadër do të ngjitet në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm. Pas kësaj fitoreje, Lushnja ruan kryesimin e grupit B, apo grupit të Jugut, me 30 pikë.
Në ndeshjen e transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, vendasit e kanë nisur lojën më mirë teksa kanë rrezikuar disa herë, por edhe miqtë nga Pogradeci mbrohen mirë. Përpjekjet e lushnjarëve konkretizohen në minutën e 29-të të takimit, kur Canka shënon golin e parë. Miqtë nuk pajtohen me këtë rezultat dhe kundërsulmojnë vazhdimisht duke e vënë në vështirësi mbrojtjen vendase.
Në të 40-ën vjen edhe goli i barazimit dhe është Topllari që sjell barazpeshën në rezultat. Me rezultatin 1-1 mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë skuadrat mbrohen me kujdes duke u përpjekur të shënojnë me anë të kundërsulmit. Ndërsa dukej se ndeshja po shkonte drejt një barazimi, është mbrojtësi Ruçi që kalon Lushnjën sërish në epërsi në minutën e 82-të.
Në minutën e 87-të, Pogradeci mbetet me 10 lojtarë. Është Konte që largohet nga fusha e lojës me karton të kuq, ndërsa kishte marrë më parë dy të verdhë. Dy minuta më vonë, Canka provon me një goditje dënimi, por portieri Mali grushton duke shpëtuar portën nga goli i tretë. Me këtë fitore Lushnja ngjitet në kuotën e 30 pikëve duke ruajtur kryesimin e grupit B.