Gjergj Vyshka 12.01.2015 12:25
Miqësorja e parë dimërore, të mërkurën ndaj Partizanit në Stadiumin “Roza Haxhiu”. Lushnja, kryesuesja e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë, teksa pas 12 javësh ka 21 pikë, është tradhtuar nga ish-ët e saj. Edhe pse është parë në stërvitje, ndërsa pritej të ishte dyshe sulmuese së bashku me Mikel Cankën për skuadrën e Artan Banos, Brunild Pepa ka bërë një zgjidhje që askush nuk e ka menduar në Lushnjë.
Pikërisht të shtunën në mesditë ai ka firmosur për Bylisin. Të njëjtën gjë ka bërë edhe qendërmbrojtësi Erjon Xhafa për të cilin lushnjarët nuk ishin fort të sigurt nëse do të ishte me ta apo jo, edhe sepse e dinin që kishte oferta nga skuadra të Kategorisë Superiore. Mirëpo si Pepa, ashtu dhe Xhafa janë bindur nga oferta e ballshiotëve, ndërsa në Lushnjë të gjithë ndjehen të tradhtuar.
Pikërisht për këtë gjë, KF Lushnja, ka reaguar në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, teksa kanë deklaruar: “Brunild Pepa dhe Erion Xhafa firmosin me Bylisin. Nuk e dimë se si i marrin vendimet këto futbollistë sot, sepse të shkosh në Ballsh përpara Lushnjës, ne na duket absurditet. Megjithatë ne ia dalim edhe pa ju. Forca Lushnja!”
Dhe tashmë e vetmja shpresë për të kthyer një ish në skuadër është Mikel Canka, i cili ka dalë në stërvitje, por ende nuk ka firmosur për verdhejeshilët e Banos. Ndërkohë Lushnja ka zyrtarizuar miqësoren e saj të parë, që do të jetë me Partizanin të mërkurën në stadiumin “Roza Haxhiu”.