AbanianSport.net 27.12.2014 07:55
ASNN – Gentian Çela, kapiteni dhe mesfushori i Lushnjës, është shpallur lojtari më i mirë i vitit 2014 për skuadrën verdhejeshile. Ky ka qenë sondazhi i KF Lushnjës, atje ku kanë votuar të gjithë sportdashësit e kësaj skuadre, ndërsa tifozëria verdhejeshile është më e zjarrta dhe më e madhja në Kategorinë e Parë. Dhe urimi i faqes së “Facebook”-ut, KF Lushnja ka qenë: “Urime Kapiten Çela!”
Ndërsa në fakt në sondazh, pa pasur mëdyshje për kontributin e futbollistëve të tjerë të skuadrës së Artan Banos, Çela ka qenë më i votuari. Ajo që duhet pranuar është fakti se Lushnja, pas fitores së thellë 3-0 të shtunën e kaluar në “Roza Haxhiu” ndaj Naftëtarit, e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në vendin e parë me 21 pikë, ndërsa është një pikë përpara Dinamos së vendit të dytë.
Në 12 ndeshje, Lushnja ka marrë 6 fitore, 3 barazime, 3 humbje, ndërsa golaverazhi ka qenë 17-8. Në këto 17 gola të verdhejeshilëve, Çela ka realizuar dy. Por duke qenë kapiteni i skuadrës dhe për shpirtin që jep në fushën e lojës, Çela është lojtari i vitit 2014 sipas votimeve të tifozëve.