AlbanianSport.com 19.03.2017 17:55
ASNN – Lushnja ka rimarrë kreun e renditjes së grupit B të Kategorisë së Parë, pasi ka mposhtur Shkumbinin me rezultatin 3-1, në takimin e vlefshëm për javën e 20-të dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kategoria e Parë, e cila i ka luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të javës së saj të 20-të, që është në fakt java e dytë e fazës së 3-të, ka vijuar të dielën me një tjetër takim.
Bëhet fjalë për ndeshjen midis Lushnjës dhe Shkumbinit, u luajt pasdreke në Stadiumin “Roza Haxhiu” dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, vendasi e kanë zgjidhur shumë shpejt ndeshjen në favor të tyre, duke realizuar dy herë brenda 120 sekondash, në minutën e 4-t dhe atë të 6-të. Fillimisht është Sefa që gjen golin për Lushnjën.
Ndërsa menjëherë pas tij, Branica e ka dyfishuar epërsinë e vendasve. Me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të sjellin edhe dy gola të tjerë, atë të 3-tin për vendasit me autor Koreshin, si dhe një gol ngushëllimi për miqtë. Lluca do të godasë bukur nga jashtë zone dhe do të përshëndesë rrjetën në minutën e dytë shtesë të takimit.
Kështu, lushnjarët fitojnë 3-1 dhe kanë rimarrë kreun e renditjes së grupit B, me 26 pikë, dy më tepër sesa Bylisi, që mundi dje në Ballsh Tomorin me rezultatin 2-0. Ndërkohë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë të hënën edhe takimin e fundit të javës së 20-të të Kategorisë së Parë, atë midis Besëlidhjes dhe Burrelit. Kjo ndeshje, që luhet duke nisur nga ora 14:00, është e vlefshme për grupin A.