AlbanianSport.com 01.11.2016 16:15
ASNN – Lushnja ka fituar 2-1 me Bylisin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë së Parë. Vendasit luajnë më mirë në fillim të takimit, teksa shënojnë dy gola. Ndërsa pjesa e dytë flet për miqtë nga Ballshi që vetëm sa arrijnë të ngushtojnë diferencën me anë të Bouenit. Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ndeshja e javës së 6-të të Kategorisë së Parë, ajo midis Lushnjës dhe Bylisit është mbyllur me fitoren e skuadrës vendase, me rezultatin 2-1. Në Stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës, sfida fillon me një lojë më të mirë të vendasve, që kërkojnë me ngulm golin. Ai vjen në minutën e 6-të, kur Endri Magani shënon me një gjuajtje të bukur nga jashtë zone.
Vazhdon iniciativa e vendasve që kërkojnë të dyfishojnë. E kanë mundësinë me anë të Cankës në të 38-ën minutë, por futbollisti i Lushnjës, i vetëm brenda zonës, vetëm 1 metër larg portës së Bylisit, gjuan shumë keq me të djathtën, duke e nxjerrë topin jashtë. Duhej të vinte minuta e 46-të, kur Taullau dyfishon shifrat për Lushnjën. Me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllet pjesa e parë.
Në minutën e 50-të, Canka, i pafat në këtë ndeshje, gabon sërish, kur i vetëm me portierin ballshiot gjuan mbi shtyllën horizontale. I menjëhershëm kundërsulmi i Bylisit, por portieri Spaho nuk lejon topin të kalojë në rrjetën e portës së tij. Minuta e 52-të dhe tjetër rast për Bylisin, por sërish portieri Spaho i thotë “Jo” golit, pas dy gjuajtjeve të Simiçit dhe Yshmerit.
Dy minuta më vonë, Bylisi rrezikon sërish, teksa topi ndalet nga shtylla horizontale. Pas shumë minutave të mira të skuadrës ballshiote, Boueni shënon, duke ngushtuar diferencën në 2-1, në minutën e 81-të. Në 83-ën, Raboshta humbet rastin më të mirë për të barazuar rezultatin, kur, me një goditje me kokë brenda zonës, nuk e dërgon topin në rrjetë por jashtë.
Pas kësaj fitoreje, Lushnja vazhdon të kryesojë grupin B të Kategorisë së Parë.