Gjergj Vyshka 13.01.2015 15:05
Mikel Canka i ka premtuar besnikëri Lushnjës, ndërsa përtej ofertave, që ai ka marrë nga skuadra të Kategorisë Superiore, ka vendosur që të qëndrojë me verdhejeshilët e trajnerit Artan Bano deri në fund të këtij sezoni.
Firma e kontratës për Cankën për të luajtur gjashtë muaj me Lushnjën, e cila është kryesuese e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë, duket vetëm një procedurë burokratike dhe thjesht zyrtare për të formalizuar atë që sulmuesi ka vendosur.
Por përtej këtij vendimi të Cankës, i cili i ka bërë tifozët e Lushnjës besues për një skuadër të denjë, e cila do të ngjitet në fund të këtij sezoni në Kategorinë Superiore, nga Lushnja ka pasur dhe largime.
Kështu Gentian Shkoza, sulmuesi cërrikas, i cili ka luajtur me sukses në shumë skuadra të futbollit shqiptar pa harruar dhe kontributin e tij në Zvicër, ka vendosur të largohet nga verdhejeshilët.
Kuptohet për të gjetur një tjetër skuadër e cila do t’i garantojë atij më shumë hapësira në aktivizim. Përfundimisht me largimin e Shkozës, por dhe me tradhtinë e Pepës dhe Xhafës, të cilët firmosen për Bylisin, lushnjarët e Banos duhet të kënaqen vetëm me besnikërinë që ka premtuar Mikel Canka.