AlbanianSport.com 08.02.2015 17:40
ASNN – Lushnja ka marrë një fitore minimale por mjaft të vyer ndaj Dinamos, duke thelluar kryesimin e grupit B të Kategorisë së Parë. Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën ndeshjet e javës së saj të 13-të, që ishte edhe e para për vitin 2015.
Në grupin A, që është edhe grupi i Veriut, dueli i kreut midis Besëlidhjes dhe Tërbunit është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në takimet e tjera u arritën këto rezultate: Kamza-Besa 1-0, Iliria e Fushë-Krujës – Kastrioti 1-0 dhe Burreli-Veleçiku 2-0. Tërbuni vazhdon të kryesojë renditjen me 33 pikë, i ndjekur nga Besëlidhja dhe Mamurrasi, me nga 29 pikë.
Ndërkaq, në grupin B, apo grupin e Jugut, u arritën këto rezultate: Naftëtari-Shkumbini 2-2, Pogradeci-Butrinti 1-0, Bylis-Luftëtari 1-0 dhe Tomori-Sopoti 2-1. Ndërsa dueli i kreut midis Lushnjës dhe Dinamos, pamje të së cilit na përcjell kjo kronikë, u mbyll me fitoren minimale të vendasve me një gol të Fatjon Topit.
Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka qenë tejet kritik për skuadrën e tij, ndërsa homologu lushnjar, Artan Bano, e ka vlerësuar fitoren si mjaft të vyer. Kronika e mëposhtme na njeh edhe me reagimet e trajnerëve si dhe me rezultatet dhe renditjet e të dy grupeve.