AlbanianSport.com 10.10.2014 17:55
ASNN – Pas fitores 2-0 në javën e dytë të kampionatit ndaj Pogradecit në “Roza Haxhiu”, sukses i cili ka rikuperuar në një farë mënyre dhe gjendjen psikologjike të verdhejeshilëve pas disfatës së parë të kampionatit ndaj Bylisit, 0-1, Lushnja tashmë duket se është e sigurt për t’u ngjitur në Superiore. Paçka se kjo skuadër aktualisht ndodhet 3 pikë larg vendit të parë, që në Jug e mbajnë Bylis dhe Sopotit. Sipas kapitenit të verdhejeshilëve, Gentian Çela, kjo skuadër është ndryshe nga sezoni i kaluar dhe si e tillë e kap dhe ngjitjen në Superiore.
“Do të kërkojmë kreun. Dihet tashmë që synimi ynë është vendi i parë, që na dërgon në Superiore, – ka theksuar futbollisti i lushnjarëve. – Kampionati është i gjatë dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm në çdo sfidë. Më gëzon fakti që kemi një ekip cilësor dhe futbollistët janë të angazhuar për të dhënë më të mirën. E rëndësishme është që të qëndrojmë me këmbë në tokë”, ka thënë Çela, kurse ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares duket se e ndihmon skuadrën e Artan Banos për t’u përmirësuar në lojën e saj.
Aq më shumë që këtë javë do të ketë një ndeshje të vështirë jashtë, teksa bëhet fjalë për ballafaqimin me Naftëtarin në “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës. Të dyja këto skuadra janë ndeshur me njëra-tjetrën në miqësoret e verës, ndërsa është barazuar 0-0 në Kuçovë, si dhe ka fituar Lushnja, 3-1. Dhe duke parë këtë ecuri, jo vetëm për ndeshjen në Kuçovë, por dhe të tjerat më pas, verdhejeshilët besojnë se do ta kapin kreun dhe më pas edhe ngjitjen në Superiore.