AlbanianSport.com 03.03.2016 12:00
ASNN – Arbër Allkanjari është një nga titullarët verdhjeshilë që ka qenë prezent pothuajse në të gjitha ndeshjet e këtij kampionati në formacionin e Lushnjës. Sulmuesi me përvojë shpeshherë ka luajtur edhe si mesfushor i djathtë për nevojat e ekipit, ndërkohë që është autori i golit të çmuar në fitoren ndaj Pogradecit në fazën e parë në “Roza Haxhiu”.
Pas përfundimit të seancës stërvitore të ditës së mërkurë shtatlarti lushnjar jep një mendim për gjendjen aktuale të Lushnjës. “Kemi përfunduar ditën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për përballjen anti-Turbinë”, – thotë Allkanjari, duke vazhduar më tej: “Duhet të pohoj se ekipi po stërvitet nën efektin e një faktori të pëlqyeshëm psikologjik, të cilin e ka bërë prezent tek ne fitorja që korrëm ndaj Shkumbinit.”
“Tashmë ne po gatuajmë fitoren e radhës ndaj Turbinës, e cila konsiderohet si një mision i patjetërsueshëm nga ne, – ka vijuar ish-futbollisti i Dinamos. – Ne po bëjmë përpjekjet maksimale që të mos e nënvlerësojmë këtë kundërshtar. Në këndvështrimin tim, Turbina është më e vështirë se sa Shkumbini për t’u mposhtur. Do të ishte e pafalshme nga ana jonë nëse do ta toleronim atë.”
“Sepse gjëra të tilla ndaj kundërshtarëve të dobët na ka kushtuar shumë. Që do të thotë se përballjen me Turbinën e shohim njësoi sikur të luanim me ekipin kryesues të grupit. E vetëm kështu, fitorja mund të jetë më e lehtë”, – ka përfunduar futbollisti i Lushnjës, Arbër Allkanjari.