AlbanianSport.com 27/12/2019 14:55
ASNN – Ish-futbollisti i ekipit vlonjat, pesimist për gjendjen aktuale, por edhe për shpresat për ringritje. Ish-lojtari i viteve 1980-1990, Përparim Lushaj, thotë se, për Flamurtarin, gjendja në fushën e blertë është pasojë e asaj që ka ndodhur jashtë saj.
“Kjo nuk ndodhi sot për sot, por ka ardhur si rrjedhojë e largimit të mbështetësve financiarë të ekipit, duke krijuar gradualisht një gropë në klub, që sa vjen e zmadhohet dhe jemi tani në këtë gjendje të shohim”, – ka thënë ai.
Për rrjedhojë, ai sheh një të ardhme të zymtë për skuadrën vlonjate, e cila, me dergjet në fundin e renditjes me vetëm 6 pikë të marra në këto 17 javë të para të këtij sezoni të Kategorisë Superiore.
“Që Flamurtari do të bjerë nga Kategoria Superiore, kjo shihet qartazi, por pyetja është se çfarë do të bëhet me këtë skuadër në vazhdim, – ka vijuar ai. – Sepse kemi parë shpesh që, në të tilla raste, situara merr të tatëpjetën.”
Për Lushajn, gjendja në fushën e blertë është pasojë e asaj që ka ndodhur jashtë saj. Për ish-futbollistin, askush nuk duhet të përjashtohet nga kontributi që mund të japë për ringritjen e Flamurtarit.
“Natyrisht, barra kryesore bie mbi Bashkinë, e cila duhet të marrë në dorë situatën, përpara sesa të jetë shumë vonë, sepse kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më kështu”, – ka përfunduar 62-vjeçari.
Përparim Lushaj ka bërë edhe një parashikim sa i përket betejës për titull, ku ai shikon Kukësin dhe rivalen kryeqytetase, Tiranën dhe Partizanin, si kandidate për titull, ndërsa të tjerat i sheh me shumë luhatje.