AlbanianSport.com 21.12.2014 18:05
ASNN – Shkumbini ka fituar me Pogradecin, pastër 2-0, ndërsa kjo humbje e ka bërë trajnerin e liqenorëve, Ardjan Abazaj, që të mos flasë për mediat në përfundim të ndeshjes në Peqin.
Pjesa e parë ka qenë në favor të vendësve, të cilët sulmuan dhe e kërkuan shumë golin. Por dhe pse kanë goditur dy herë traun e portës mike, ata nuk kanë mundur dot ta gjejnë atë.
Edhe në fraksionin e dytë vazhdonte e njëjta histori, atje ku vendësit sulmonin me anë të Maganit, por gardiani pogradecar, Miraka ishte në ditë mjaft të mirë dhe nuk lejon të preket rrjeta e portës së tij.
Por një goditje nga këndi e ekzekutuar me mjeshtri nga Kafazi gjen Lundraxhiun në zonë, i cili godet mjaft mirë duke zhbllokuar sfidën. Vetëm 7 minuta më vonë është Sulkja që kombinon mjaftë mirë me Maganin në zonë dhe ky i fundit shënon me mjaft lehtësi.
Kështu, Shkumbini feston me një fitore pragun e festave të fundvitit.
Shkumbini – Pogradeci 2-0
Shënues: Lundraxhiu 67’, A. Magani 74’
Shkumbini: Ajazi, Kafazi, Turhani, Xhyra. E. Magani (Meta 90′), Isai, Sulkja (Nexha 82′), Lluca, Hasa (A. Lundraxhiu 56′), A. Magani, Lundraxhiu. Trajner: I. Gjyla
Pogradeci: Miraka, Çerepi, Bufasi (80’Pere), Pura, Binishi, Shyti (Osmani 80′), Rapo, Çela, Alillari (Topllari 70′), Çekiçi, Pengu. Trajner: A. Abazaj
Gjyqtarë: S. Greca, E. Malo, M. Qose (Lushnjë)
Kartonë i verdhë: Osmani