AlbanianSport.com 04.09.2017 11:15
ASNN – Ishte një histori e denjë për ato beteja të tipit “Davidi kundër Golias” që vetëm loja më popullore në botë, futbolli, di t’i dhurojë. Luksemburgu ka korrur të dielën në mbrëmje një nga rezultatet më të paimagjinueshme të futbollit evropian në vitet e fundit, duke ndalur Francën e yjeve në një barazim pa gola në fushën e kësaj të fundit. Skuadra e Deshompit shihet jo vetëm si pretendente kryesore për t’u kualifikuar në Botëror, por edhe mes pretendentëve për të fituar turneun falë numrit shumë të madh të lojtarëve cilësorë që ka në dispozicion.
Madje, vetëm pak ditë më parë, finalistja e mundur e Evropianit të shkuar dhe një herë kampionia e botës dhe dy herë kampionia e kontinentit, pati dhuruar spektakël në Paris, duke shpartalluar Holandën me rezultatin e thellë 4-0. Por përfaqësuesja që renditet e 10-ta në renditjen e FIFA-s, nuk ka mundur të shënojë as edhe një gol në portën e përfaqësueses e cila renditet e 136-ta, pavarësisht një dominimi absolut dhe rasteve të panumërta të shpërdoruara nga emratë spikatur të vendasve, si Pogba, Lemar, Zhiru, Grimzan apo Lakazet.
Emra që e bëjnë përfaqësuesen franceze të kapë një shifër që përllogaritet mbi 600 milionë stërlina, ndërsa në krahun tjetër ishte një skuadër që në 131 ndeshje në Eliminatoret e 21 Botërorëve të deritanishëm, kishte arritur vetëm 5 fitore, kishte marrë vetëm 7 barazimi, ky me Francën ishte i 8-ti, dhe kishte pësuar plot 118 humbje, duke shënuar vetëm 68 gola dhe duke pësuar plot 424. Madje, sikur shtylla të mos i kishte ardhur në ndihmë gardianit të portës franceze, Loris, skuadra e Principatës mund të kishte arritur rezultatin e saj më historik.
Ndaj vërshëllima përfundimtare ka dekretuar barazimin 0-0 dhe ka nisur festën legjitime të Luksemburgut që ka marrë rezultatin më të rëndësishëm në historinë e tij, por edhe ka rihapur plotësisht Grupin A duke mos i dhënë mundësinë Francës që të shkëputet drejt kualifikimit në Botëror.