Gjergj Vyshka 22.10.2016 07:55
Robert Shestani dhe Mired Jani, pa i ulur vlerat pjesës tjetër të skuadrës durrsake, mund të quhen me plotgojë “mbretërit” e Teutës në basketboll për meshkuj. Shkodrani, që ka qenë edhe shënuesi më i mirë i “Djemve të detit” me 25 pikë, me 3-pikëshin e tij e ka kaluar në epërsi skuadrën durrsake në fund të pjesës së tretë.
Kurse ish-lojtari i Tiranës, teksa ka ardhur nga stoli, me një 3-pikësh në sekondat e fundit të ndeshjes ka vulosur suksesin e Teutës, që në kampionat është i dyti radhazi. E kësisoj skuadra e malazezit Nikola Milatoviç, që në fund të sezonit 2015-2016 ishte nënkampione e Shqipërisë, me të gjitha përforcimet që ka bërë tregon se do të jetë një pretendente serioze për titull “kampion”.
Ardhmëria Basket, përtej dëshirës dhe kualiteteve që ka në fushën e lojës, duhet të jetë më e bindur brenda vetes se duhet fituar ndeshja dhe të mos shfaqet me aq shumë luhatje dhe dritëhije në lojën e saj. Ndërkohë, Një ndeshje pa emocion ishte ajo e luajtur mbrëmë në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës mes Vllaznisë dhe Flamurtarit në basketboll për meshkuj.
Kjo pasi në fushë kishte vetëm një skuadër, ajo e Vllaznisë, e cila për asnjë moment nuk pati as më të voglin ngacmim nga kundërshtari. Vetë humbja e pësuar me 62 pikë, 44-106 diference tregon qartë atë çfarë ka ndodhur në këtë ndeshje. Po në kuadër të javës së dytë të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, Tirana ka fituar 86-66 në fushën e Kamza Basket.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Kalendari i javës së dytë:
(21 tetor 2016)
Të premten:
Vllaznia – Flamurtari 106-44
Ardhmëria Basket – Teuta 67-73
Kamza Basket – Tirana 66-86
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 2 2 0 168-131 4
- Teuta 2 2 0 161-132 4
- Vllaznia 2 1 1 171-126 3
- Ardhmëria Basket 2 1 1 142-104 3
- Kamza Basket 2 0 2 131-174 2
- Flamurtari 2 0 2 75-181 2