AlbanianSport.com 03/06/2020 21:55
ASNN – Është mbyllur me fitoren 2-1 të skuadrës mike takimi midis Partizanit dhe Skënderbeut. Sfida përmbyllëse e javës së 27-të të Superiores u fitua nga djemtë e trajnerit kryeqytetas, Ilir Dajës, të cilët u treguan më të saktë para porte se të kuqtë e kryeqytetit. Një supergol i Nazmi Gripshit, 3 minuta para fundit të pjesës së parë dhe një gol nga Bruno Dita vetëm pak sekonda më vonë, vendosën fatet e takimit.
Të dyja skuadrat kishin dhe raste të tjera për të tundur rrjetën, por i vetmi gol në pjesën e dytë, u shënua nga mesfushori i Partizanit, Ferati, pesë minuta para fundit të takimit. Kjo fitore e Skënderbeut e ngjit në kuotën e 44 pikëve, në vend të 3-të, ndërsa Partizani mbetet në vend të 7-të, me vetëm 38 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, në takimet e tjera, të luajtura më herët, dy gola të shënuar në pjesën e parë, bënë që Laçi e Teuta ndanë nga një pikë.
Takimi u mbyll me rezultatin 1-1 dhe ishin miqtë nga Durrësi që shënuan të parët me Sherif Kallakun. Mesfushori ishte i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit e kurbinasit u vunë në presion. Lushkja pati një mundësi shënimi, por nuk ia doli dot. Sidoqoftë, Xhixha, në minutat shtesë, realizoi me kokë në portën e Stivi Frashërit. 1-1 pjesa e parë dhe në të dytë Stajila bëri mrekullinë në një rast të Emiljano Vilës. Ndërkaq, beteja për titullin kampion në Superiore, u rikthye sot, me rifillimin e futbollit.
Dhjetë ekipet e elitës së futbollit shqiptar zbritën në fushë, por vëmendja më e madhe ishte padiskutim te dy ekipet e kreut, Tirana dhe Kukësi. Bardheblutë e drejtuar nga Egbo kishin një vizitë shumë delikate kundër Bylisit, por ia dolën që të marrin tri pikët e plota. Kobina shënoi një supergol në minutën e 26-të, me një kthesë të bukur brenda zonës. Kurse Batha në sekondat e fundit të pjesës së parë, dyfishoi shifrat nga pika e bardhë.
Peposhi në të 66-ën “stresoi” disi Tiranën, por kryeqytetasit shënuan serish me anë të Gentian Muçës në minutën e 72-të. Edhe Kukësi arriti të fitojë në “Elbasan Arena”, duke mposhtur me rezultatin 2-1 Luftëtarin. Verilindorët kaluan të parët në epërsi me anë të Gavazaj, që në minutën e 8-të të sfidës, duke konkretizuar me gol një aksion të bukur nga e majta. Por Luftëtari arriti të barazojë në minutën e 68-të, minutë kur Mehmetllari u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në sekondat e fundit, Kukësi ia doli të triumfojë, falë një goli të shënuar nga Abazaj. Bardheblutë e trajnerit Emanuel Egbo ngjiten në kuotën e 56 pikëve, ndërsa Kukësi me triumfin në Elbasan, shkon në kuotën e 47 pikëve. Tirana vazhdon serinë e fitoreve, ndërsa Kukësi duket se nuk është dorëzuar ende në garën për titullin