Gjergj Vyshka 06.03.2016 07:05
Tirana në basketboll për femra ka bërë një nga ndeshjet e saj më të mira në këtë kampionat. Jo vetëm sepse ka qenë super dhe ka fituar edhe atëherë kur ka qenë në disavantazh, por për meritë të kundërshtarit, që është Goga Basket, ndeshja ka prodhuar emocione të mëdha dhe shumë të bukura.
Një ndeshje nga ato që ka për t’u mbajtur mend gjatë kjo e javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, sepse prodhoi lojë, por dhe nerva deri në ndëshkime me gabime teknike për kundërshtarin. Fillimi i lojës është vonuar gati 20 minuta, sepse ndërkombëtari Gentian Cici ka kërkuar forcat e rendit për të filluar lojën.
Madje nuk është bindur dhe atëherë kur ka folur me të personalisht shefi i klubit shumësportësh të Tiranës, Pirro Koleka. Por vetëm mbasi ka marrë garanci të forta dhe forcat e rendit janë shfaqur në “Farie Hoti”, Cici ka thirrur skuadrat në parket dhe ndeshja ka nisur.
Eliverta Bujari ka marrë përdore skuadrën e trajnerit Erdal Borova, me 31 pikë të shënuara, shtatë 3-pikësha dhe pesë dypikësha, ndërsa pas saj dhe Adelajde Aliaj dhe Rezarta Hoxhaj. Tirana fiton 82-79 dhe barazohet me Goga Basket në kuotën e 22 pikëve në renditje.
Ndërkaq, Flamurtari si për shëtitje në Shkodër, teksa ka fituar me dhjetë pikë diferencë ndaj Vllaznisë vendëse, 66-56. Vlonjatet kryesojnë të shkëputura, me 26 pikë, ndërsa në takimin e fundit të javës së 13-të, Studenti mundi Elbasanin, në një ndeshje që ishte e rivalizuar deri në fund dhe ku mikeshat fituan me shifrat e përgjithshme 61-55.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 13-të
(4-5 mars 2016)
Të premten:
Kamza Basket – Skënderbeu 63-46
Të shtunën:
Tirana – Goga Basket 82-79
Vllaznia – Flamurtari 56-66
Elbasani – Studenti 55-61
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 13 13 0 994-763 26
- Goga Basket 13 9 4 1011-842 22
- Tirana 13 9 4 932-855 22
- Vllaznia 13 7 6 894-886 20
- Skënderbeu 13 6 6 881-905 19
- Kamza Basket 13 4 9 682-772 17
- Studenti 13 4 9 722-882 17
- Elbasani 13 0 13 722-941 13