Luftë e fortë sportive, rivalitet, por edhe shumë emocione prodhoi ballafaqimi mes Vllaznisë dhe Teutës së Durrësit në volejboll për femra, takim ky i luajtur pasditen e së mërkurës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Sfida e luajtur për llogari të javës së 5-të të fazës së dytë, apo javës së 12-të, pritej me interes nga të dyja skuadrat, sidomos për Vllazninë, e cila, pas paraqitjes së shkëlqyer në finalet e Kupës së Shqipërisë, ku dhe u rendit e treta, ka si synim të bëjë të njëjtën gjë edhe në kampionat për t’u përfshirë në katër ekipet më të mira në luftën për titull “kampion”.
Sipas përllogaritjeve të bëra nga stafi kuqeblu, për një renditje sa më të mirë në klasifikim, përpos fitores së kësaj ndeshje, objektivi ishte që ajo të fitohej me një rezultat sa më të pastër. Me këtë frymë dhe pikësynim u futën volejbollistet shkodrane në fushën e lojës, por përballë kanë pasur një skuadër e cila ka befasuar me mobilizimin dhe grintën e shfaqur që në fillim të ndeshjes, madje duke arritur ta mbyllin setin e parë në fitim të tyre me shifrat e ngushta 23-25.
Në të dytin, falë ndërhyrjes dhe udhëzimeve të dhëna nga trajnerja Sadije Gogaj, volejbollistet vendëse përmirësojnë shumë në lojën e tyre duke u kundërpërgjigjur me fitoren e setit të dytë, me diference pikësh, 25-16. Mikeshat nga Durrësi nuk dorëzohen dhe arrijnë të marrin edhe setin e tretë, këtë radhë me shifrat 18-25. I menjëhershëm reagimi i Vllaznisë, e cila fiton setin pasardhës 25-21 duke e çuar lojën me set final. Ashtu siç filloi, me të njëjtin rivalitet, luftë sportive, vijoi edhe seti final ku për hir të së vërtetës emocionet u shtuan shumë, sidomos kur loja iu afrua pikëve të fundit vendimtare të ndeshjes.
Falë saktësisë dhe qetësisë në interpretim, Vllaznia arrin të shënojë dy pikët e arta, që i japin fitoren e setit 15-13 dhe njëkohësisht fitoren me meritë të krejt ndeshjes me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Tre ditë më pas, Vllaznia do të luajë sërishmi në Shkodër duke pritur Barletin Volej, atje ku dhe do të kërkojë fitoren për të qenë në katër ekipet për titull kampion. Rezultati i ngushtë 3-2 në sfidën e djeshme nuk ka qenë shumë në favor të bilancit të volejbollistëve shkodrane për sa i përket setaverazhit që mund të ndikojë në klasifikim në daljen e katër ekipeve të “play-off”-it final.
Vllaznia – Teuta 3-2
(23-25, 25-16, 18-25, 25-21, 15-13)
Vllaznia: Molla, Picaku, Petëza, Zhivani, Koçeku, Qershija, Vistaraj (L) / Kiri (L), Kraja. Trajnere: S. Gogaj
Teuta: Begiçi, Rexhepi, Guza, Adyli, Hoxha, Nurja, Disha / Çuka. Trajner: E. Jazexhiu
Gjyqtarë: E. Zenurllari, A. Shehu (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 12-të
(25-30 mars 2016)
Të premten:
Barleti Volej – Skënderbeu 3-0
Partizani – Tirana 0-3
Elbasani – Flamurtari 3-0
Të mërkurën:
Vllaznia – Teuta 3-2
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 12 12 0 36-1 36
- Tirana 12 11 1 34-3 33
- Skënderbeu 12 9 3 27-13 25
- Vllaznia 12 5 7 18-23 15
- Partizani 12 5 7 15-25 15
- Teuta 12 4 8 17-25 14
- Elbasani 12 2 10 8-30 6
- Flamurtari 12 0 12 1-36 0