AlbanianSport.com 31/10/2018 23:30
ASNN – Ndeshja e prapambetur e Serisë A, Milani fitore me “shpirt ndër dhëmbë” kundër Xhenoas, kap zonën e Ligës së Kampioneve në renditje. Ndeshja e prapambetur e Serisë A, Milani fitore me “shpirt ndër dhëmbë” kundër Xhenoas, kap zonën e Ligës së Kampioneve në renditje. Milani luajti mbrëmjen e të mërkurës një ndeshje të prapambetur të Serisë A, atë ndaj Xhenoas, një ndeshje që ishte shtyrë pas ngjarjes tronditëse me shembjen e urës së madhe në Gjenovë javë më parë. Në këtë ndeshje kuqezinjtë e Milanit kishin vetëm një rrugë: fitoren. Madje çdo rezultat tjetër rrezikonte rëndë stolin e trajnerit Ivan Xhenaro Gatuzo.
E vërteta është se Milani e nisi mirë ndeshjen, ku Suso realizoi një supergol me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, duke mos i dhënë asnjë shans portierit të Xhenoas. Epërsia e gëzoi Milanin, por skuadra nuk reshti së provuari të gjejë rrugën e rrjetës sërish. Por portieri i Xhenoas bëri pritje spektakolare.
Në fillim të pjesës së dytë, një pakujdesi në mbrojtje solli penalizimin e kuqezinjve. Një top i devijuar nga Romanjoli thuajse pranë vijës fundore, merr një trajektore të çuditshme e përfundon në rrjetë, pra një autogol që barazoi shifrat 1-1. Për Milanin nis një malore e madhe, sepse Xhenoa nis të mendojë seriozisht për mbrojtjen. Depërtimi dukej i vështirë, kështu që Çallhanollu dhe Higuaini tentuan nga jashtë zone me gjuajtje të shpejta e të forta. Por portieri mik ishte i pakalueshëm.
Sidoqoftë, në minutën e parë shtesë, kur kishin mbetur dhe pak sekonda lojë, Milanin e nderon ai që edhe e “baltosi” me autogolin e tij. Ishte pikërisht Romanjoli që shënoi golin e fitores duke bërë që milanistët të shpërthejnë në ovacione. 2-1 dhe Milani merr një trepikësh me vlerë, që e ngjit atë në kuotën e 18 pikëve (po aq sa Lacio), në vend të katërt në renditjen e Serisë A, pra në zonën që të siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.