AlbanianSport.com 31.01.2016 16:15
ASNN – Është luajtur sot pasdreke takimi i radhës i javës së 19-të dhe Kukësi i ka bërë një nisje të përkryer fazës së tretë të Kategorisë Superiore, duke fituar 3-0 ndaj Bylisit në Stadiumin “Zeqir Ymeri”. Izair Eminit, i afruar vetëm gjatë merkatos së janarit, ishte njeriu i ndeshjes, duke shënuar dy golat e parë të takimit për ekipin e drejtuar nga trajneri Klodjan Duro, në minutën e 23-të dhe atë të 55-të.
Goli i tretë, që e mbylli përfundimisht ndeshjen, u shënua nga Dvornekoviçi në minutën e 78-të. Falë këtij suksesi Kukësi u ngjit në kuotën e 31 pikëve, në vendin e katërt, një pikë pas Tiranës së vendit të tretë. Ndërkohë duke nisur nga ora 17:00, do të luhet edhe ndeshja e fundit e javës së 19-të në Kategorinë Superiore, ajo që do të zhvillohet në Stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ndërmjet skuadrës vendase dhe Teutës.
Ndërkohë, kryesuesja e renditjes së Kategorisë Superiore, Skënderbeu, është mundur të shtunën pasdreke minimalisht në fushë të huaj nga Vllaznia vendase, në takimin e zhvilluar në Shkodër dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Po pasdreke, Tirana ka fituar 3-1 në Pukë ndaj Tërbunit, ndërsa në mbrëmje, Partizani ka fituar 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Skënderbeu dhe Partizani, me nga 43 pikë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të, me 32 pikë, e ndjekur nga Kukësi me 31 dhe Teuta, me 30.