AlbanianSport.com 18.11.2016 16:15
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, nis të premten pasdreke javën e saj të 9-të me takimin midis Pogradecit dhe Lushnjës, që u luajt në Stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.
Kjo ndeshje, që ishte e vlefshme për grupin B dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka dhuruar emocionet nga fillimi deri në fund, duke u mbyllur në barazim 3-3.
Ndërkohë, 3 takimet e tjera të kësaj jave në grupin B, si dhe të gjitha takimet e grupit A luhen të shtunën dhe transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht njërin prej tyre, atë të orës 14:00 midis Kamzës dhe Burrelit.
Ndërkohë, java e 9-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyllet të hënën, me takimin e fundit të grupit B, atë që nis në ora 14:00, midis Apolonisë dhe Bylisit.
Për momentin, Kamza kryeson e shkëputur renditjen e grupit A, në kuotën e 24 pikëve, ashtu sikundër edhe Lushnja kryeson e shkëputur renditjen e grupit B, tanimë në kuotën e 23 pikëve.