Gjergj Vyshka 30.04.2016 11:25
Kamza Basket e ka mbyllur si kryesuese dhe fazën e katërt dhe tashmë është gati për të luajtur “play-off”-in për titull “kampion”, atje ku përsëri në gjysmëfinale do të ketë Teutën. Por përpara se të dalë tek ndeshja e parë me durrsakët duhet të përballojë dhe finalen e Superkupës së Shqipërisë, ndërsa do të jetë përsëri ndaj Vllaznisë. Ka fituar Kupën e Shqipërisë, ka fituar disa herë ndaj shkodranëve në kampionat dhe nuk duhet të ishte surprizë nëse do të ndodhte një gjë e tillë dhe në mesjavë.
Por duke mbetur tek përballja me durrsakët, Kamza Basket e ka nisur mirë dhe më pas për shkak të rritjes së nivelit të lojës së Teutës, e cila vazhdon të personifikohet gjithnjë me Bruno Daliun, fitorja është vënë në diskutim. Në fakt ka pasur edhe një garë trepikëshash, garë të cilën e ka fituar Roshi me 4 të tillë e pas tij kanë ardhur Karaj dhe Strazimiri me nga 3, apo dhe Fjolla e Veselagu e Aliaj me nga dy, si dhe Shestani e Gjoka, me nga një.
Me diferencën e krijuar në fund të pjesës së dytë me 11 pikë në total, 45-34, Kamza Basket krijon përshtypjen se do ta ketë të lehtë. Aq më shumë që ka fituar pjesën e parë, 25-16, si dhe të dytën 20-18. Ndërkohë trajneri Milatoviç e aktivizon fare pak Ndrekon e Llazanin dhe për rrjedhojë skuadra hyn me vonesë në lojë. Bruno Daliu shënon 27 pikë, ndërsa falë lojës së mirë të Aliajt, Strazimrit, Goreas dhe Veselagut, Teuta arrin jo vetëm që të ngushtojë në fund të pjesës së tretë, teksa e ka humbur vetëm me një pikë diferencë atë 22-23 dhe në total 56-68.
Por durrsakët kanë fituar të katërtën 11-15 dhe në përfundim vetëm një fitore me 8 pikë për Kamza Basket, 79-71. Për t’u evidentuar në lojën e skuadrës së Adem Muhametajt 6 pikët e Ergys Muhametajt, një lojtar i ri i së ardhmes së Kamza Basket. Në përgjithësi një ndeshje e mirë dhe nëse Teuta do të ketë një nivel të njëjtë në të katër pjesët mund dhe duhet të jetë një kundërshtar i vështirë për Kamza Basket në gjysmëfinalen për titullin “kampion”.
Kamza Basket – Teuta 79-71
(25-16, 20-18, 23-22, 11-15)
Kamza Basket: Hamati (9), Birçaj (10), Karaj (15), Oruçi (2), Shestani (7) / E. Muhametaj (6), Gjoka (4), Roshi (18), Fjolla (8), G. Muhametaj. Trajner: A. Muhametaj
Teuta: Daliu (27), Pasha (2), Strazimiri (9), Gorea (8), Ndreko / Veselagu (6), Llazani, Aliaj (16), Skilja, Thano (3). Trajner: N. Milatoviç
Gjyqtarë: E. Koçi, G. Hoxha, A. Bejko (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 20-të
(29-30 prill 2016)
Të premten:
Kamza Basket – Teuta 79-71
Të shtunën:
Flamurtari – Vllaznia ora 13:00
Tirana – Partizani ora 18:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Kamza Basket 20 18 2 1457-1197 38
- Vllaznia 19 15 4 1374-1187 34
- Tirana 19 12 7 1467-1244 31
- Teuta 20 9 11 1485-1428 29
- Flamurtari 19 3 16 1055-1535 22
- Partizani 19 1 18 1165-1402 20