http://albaniansport.com/new/wp-content/uploads/2014/11/Partizani-Laci-2-0-Vila-gol.jpgAlbanianSport.com 29.10.2014 18:55
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të mërkurën të gjitha ndeshjet e javës së saj të 10-të, që ishte edhe java e parë e fazës së dytë të këtij sezoni, që, siç dihet, do të zhvillohet me 4 faza.
Në ndeshjen e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit, Partizani ka mundur Laçin me rezultatin 2-0, ndërsa në 3 takimet e tjera, përveç atij Apolonia-Tirana, që u fitua nga kryeqytetasit, fituan ekipet vendase.
Dy rivalet historike të kryeqytet, Partizani dhe Tirana, vazhdojnë duelin e kreut edhe në këtë fillim të fazës së dytë të Kategorisë Superiore, duke korrur fitore edhe në ndeshjet e javës së 10-të, të zhvilluara të mërkurën.
Ndërkohë që bardheblutë kanë fituar 3-0 në Fier ndaj Apolonisë vendase, të kuqtë kanë triumfuar me rezultatin 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit. Në takimin tjetër të mbrëmjes, Teuta ka mundur minimalisht Flamurtarin në Durrës.
Ndërkohë, në dy takimet e luajtura më herët, Kukësi ka mundur Vllazninë me shifrat 2-1, ndërsa kampiones në fuqi, Skënderbeut, i ka mjaftuar një gol i vetëm për të mposhtur Elbasanin.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Tirana dhe Partizani, me nga 21 pikë, të ndjekura nga Kukësi me 19, Skënderbeu me 18, dhe Laçi me 16 pikë.