AlbanianSport.com 25.09.2016 10:25
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të shtunën 4 takimet e para të javës së saj të 4-t dhe dy prej takimeve janë zhvilluar pasdreke dhe dy takime në mbrëmje. Ajo që vlen të veçohet dhe që, në fakt, ishte e pazakontë, është se në 360 minutat e këtyre 4 ndeshjeve u shënua vetëm një gol.
Në dy takimet e para, atë në Laç midis vendasve dhe Kukësit, si dhe në atë të kryeqytetit, midis Korabit dhe Vllaznisë, që u luajtën duke nisur nga ora 14:00, gjithçka u mbyll me rrjeta të paprekura. Po kështu ka ndodhur në Vlorë, në takimin midis Flamurtarit dhe Teutës.
Ndërsa i vetmi gol i shënuar deri më tani këtë javë, ishte ai i Skënderbeut, që mposhti minimalisht Luftëtarin. Goli i Xhejms Adenijit në gjysmën e pjesës së pare u ka mjaftuar kampionëve në fuqi për të marrë 3 pikët dhe fitoren e 4-t në po aq javë kampionat, duke u shkëputur të vetëm në krye të renditjes, me 12 pikë.
Takimi i fundit i kësaj jave është ai që do të luhet të dielën, midis Partizanit dhe Tiranës, një derbi historik ky që, si rrallëherë, do të luhet larg kryeqytetit, në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Ndërkohë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit dy ndeshje të Kategorisë së Parë. Bëhet fjalë takimin e së dielës, midis Dinamos dhe Shkumbinit, që nis në ora 16:00, si dhe atë të së hënës, midis Lushnjës dhe Tomorrit, që nis në ora 14:00.