AlbanianSport.com 21/02/2024 22:05
ASNN – Volejboll, Tirana dhe Partizani, fitore identike. Luhen takimet e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë për meshkuj. Kështu, janë luajtur të mërkurën dy takimet e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, duke përvijuar edhe dy skuadrat që do të përballen me njëra-tjetrën në finale për trofeun e madh. Tirana dhe Skënderbeu mposhtën përkatësisht Pogradecin dhe Partizanin, ndërsa deshjet e kthimit të gjysmëfinaleve luhen pas një jave.
Pas femrave, edhe veprimtaria e dytë e volejbollit të meshkujve në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën dy takimet e para të gjysmëfinaleve dhe, duke gjykuar nga këto takime të para, beteja në finale për trofeun e madh do të jetë një derbi i kryeqytetit. Kjo për arsye se Tirana dhe Partizani nuk gabuan të mërkurën, teksa dy rivalet e kryeqytetit mposhtën në takimet e para të gjysmëfinaleve përkatësisht Skënderbeun dhe Erzenin.
Në ndeshjen e luajtur më herët të mërkurën të Korçë, Tirana e ka mbyllur gjithçka në 3 sete ndaj vendasve, aty ku vetëm seti i parë ka qenë i luftuar dhe ka patur nevojë për pikët shtesë, por është fituar nga bardheblutë 26-24. Dy setet e tjera kanë qenë më të mbizotëruara nga miqtë, pas skuadra e trajnerit Ben Sako, e fiton të dytin, 25-16, dhe atë të 3-tin, 25-17, dhe gjithë ndeshjen 3-0.
Ndërkaq, më vonë, edhe në takimin e luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, janë dashur të luhen vetëm 3 sete për të përcaktuar fituesen midis Partizanit dhe Erzenit. Është skuadra kryeqytetase që e fiton setin e parë me shifrat 25-22 në 26 minuta, ashtu sikundër do të bëjë edhe në të dytin, të cilin e ka fituar po në 26 minuta, me shifrat 25-21.
Skuadra shijakase, e drejtuar nga trajneri Ilo Koja është e pafuqishme për të reaguar dhe Partizani i veteranit Ylli Tomorri e fiton edhe setin e 3-të dhe të fundit, 25-19 dhe gjithë ndeshjen 3-0 me sete e duke hedhur kështu një hap drejt vendit në finalen e madhe për trofeun e Kupës. Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve luhen pas një jave dhe Tirana pret në kryeqytet Skënderbeun, ndërsa Partizani është mysafir në Shijak, për t’u ndeshur me Erzenin.