AlbanianSport.com 18.12.2016 16:40
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur sot pasdreke 3 ndeshjet e para të javës së saj të 17-të dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit duelin e kreut midis Kukësit dhe Skënderbeut. Verilindorët kanë fituar me dy gola të Pero Pejiçit në pjesën e parë. Në takimet e tjera, Teuta dhe Vllaznia u ndanë me rrjeta të paprekura në Durrës.
Kurse Tirana fitoi 2-0 në kryeqytet ndaj Luftëtarit. Kukësi ka dëshmuar të dielën se mbetet një pretendente kryesore për kuroren e kampiones këtë sezon, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka ka mposhtur Skënderbeun me dy gola të Pero Pejiçit në pjesën e parë dhe është shkëputur e vetme në krye të renditjes pas 17 javësh të këtij sezoni.
Takimi i vlefshëm për javën e 17-të të Kategorisë Superiore, që u luajt në Stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos në favor të skuadrës vendase me dy gola të shënuar nga ish-sulmuesi kroat i Skënderbeut. Fillimisht Pejiç do të godasë fuqishëm nga e majta e sulmit kukësian, duke e gjetur të papërgatitur portierin e korçarëve, Shehi, në minutën e 35-të.
10 minuta më pas, ai do të fitojë një 11-metërsh, të cilin do ta shndërrojë vetë në gol. Pjesa e dytë nuk do të sjellë gola të tjerë dhe Kukësi fiton 2-0 dhe shkëputet në krye, në kuotën e 35 pikëve, 3 më tepër sesa Skënderbeu. Në takimet e tjera të luajtur pasdreke, Teuta dhe Vllaznia u ndanë me rrjeta të paprekura në Durrës dhe Tirana fitoi 2-0 në kryeqytet ndaj Luftëtarit.