AlbanianSport.com 24/04/2019 19:20
ASNN – Kukësi fiton gjysmëfinalen e parë me Skënderbeun, Luftëtarit nuk “i ndez” në Gjirokastër përballë Tiranës. Kukësi fitoi gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, të cilin e mundi në stadiumin e Kamzës me rezultatin 2-1. Ishte fillimisht Rexhinaldo që realizoi golin e parë në minutën e 20-të, duke i dhënë epërsi skuadrës së trajnerit Ernest Gjoka. Ky i fundit ishte shprehur që para ndeshjes se i kishte shpresat tek sulmuesit Rexhinaldo e Shkurtaj.
Ishte pikërisht ky i fundit që realizoi golin e dytë për Kukësin në fillim të pjesës së dytë, duke dhënë idenë e një fitoreje të lehtë. Por goli që shënoi Dejvi Bregu në minutën e 70-të rihapi ndeshjen, duke e bërë enigmatik fundin e takimit. Në fakt, rezultati nuk pësoi ndryshim deri në fund dhe Kukësi fitoi 2-1, duke bërë një hap drejt kualifikimit për në finale. Por goli i Bregut që shënoi në fundin e ndeshjes e ndihmon Skënderbeun të shpresojë për duelin e kthimit.
Ishte pikërisht ky gol që bëri edhe trajnerin Shehi të jetë optimist, pasi në daljen para gazetarëve pas takimit në Kamzë tha se në duelin e kthimit në Korçë do të tentonin ta përmbysnin Kukësin dhe se skuadra e tij kishte shanse të mira. Ndërkohë, në Gjirokastër Luftëtari e Tirana u kujdesën si të mbroheshin mirë, pa dhënë “shkëndija” në sulm, duke bërë ta mbyllin në barazim 0-0. Luftëtarit nuk i “ndezi” aspak sulmi në këtë ndeshjesdhe ishte shumë larg pritshmërive.
Por edhe vetë asaj që kjo skuadër ka treguar në kampionat. Edhe Tirana pati probleme në lidhjen e lojës, por rezultati e favorizon për duelin e kthimit. Dihet që bardheblutë kryeqytetas e kanë Kupën si shpëtim sezonal, ndërkohë që me Luftëtarin do të ketë në fundjavë një tjetër duel, po në Gjirokastër, por këtë herë në kuadër të javës së 31-të të kampionatit.