AlbanianSport.com 08.05.2016 19:00
Java e 34-t e Kategorisë Superiore i ka luajtur duke nisur nga ora 16:00 dy takimet e para të saj dhe Kukësi është ndalur në Laç në barazim 1-1, ndërsa Vllaznia ka fituar me rezultatin 2-0 në Fushën Sportive “Reshit Rusi” ndaj Tërbunit. Kështu, Nënkampionët janë ndalur në barazim 1-1 në Laç ndaj vendasve të cilët arrijnë të barazojnë në minutat shtesë.
Karioka i jep epërsinë skuadrës mike në minutën e 72-të të takimit falë një shndërrimit në gol të një 11-metërshi të fituar nga Lladrovci. Një gol që i jep qetësinë skuadrës dhe përpiqen të ruajnë rezultatin, por vetëm brenda kohës së rregullt. Pas tentativave të shumta bardhezinjtë e trajnerit Ramadani barazojnë shifrat me anë të Mustafës, duke i prishur kështu festën miqve.
Një pikë më shumë për verilindorët që qëndrojnë në vendin e tretë me 57 pikë, ndërsa Laçi shkon në kuotën e 35 pikëve, duke u shkëputur 7 pikë nga Bylisi i parafundit. Ndërkohë, shkodranët kanë siguruar një tre pikësh me rëndësi në shtëpi ndaj pukjanëve. I gjithë takimi është vendosur brenda vetëm 6 minutave në pjesën e parë të takimit.
Kapiteni Shtubina i jep epërsinë skuadrës vendase në minutën e 8-të dhe, nuk ka vonuar edhe goli i dytë, që vjen në minutën e 13-të nga mbrojtësi malazez, Stefan Cicmil. Vllaznia u gëzohet kështu 3 pikëve të tjera që e pozicionojnë në vendin e gjashtë me 36 pikë, një më shumë se Laçi ndjekës. Ndërkohë, Tërbuni mbetet i fundit me 17 të tilla dhe zyrtarisht i rënë nga Kategoria Superiore.
Të gjitha sfidat e javës së 34-t zhvillohen sot dhe, duke nisur nga ora 19:30, luhen 3 ndeshjet e tjera, Flamurtari-Tirana, Partizani-Bylis dhe Teuta-Skënderbeu. Takimi Teuta-Skënderbeu, që do të luhet në Stadiumin “Niko Dovana” të qytetit bregdetar, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2 dhe kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale.