AlbanianSport.com 06.02.2016 19:50
ASNN – Janë luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të kësaj jave të Kategorisë Superiore, që është java e 20-të dhe Bylisi ka shkatërruar Tërbunin e Pukës me rezultatin e thellë 4-0. Për të zotët e shtëpisë ndeshja ka ecur me të njëjtin ritëm përgjatë gjithë 90-minutëshit.
Dy gola në pjesën e parë me Pepën dhe Hoxhën, përkatësisht në minutën e 8-të dhe atë të 35-të, dhe dy të tjerë në pjesën e dytë, me Brahajn dhe Mbellan, përkatësisht në minutën e 57-të dhe atë të 88-të, u kanë mjaftuar ballshiotëve për të marrë 3 pikë në derbin e fundtabelës së renditjes.
Ndërkohë, takimi tjetër i kësaj jave, Partizani-Flamurtari është mbyllur në barazim 1-1, me gola të Ylli Hoxhës për mysafirët dhe Xhevahir Sukajt për të zotët e shtëpisë, përkatësisht në minutën e 38-të dhe atë të 88-të. Mysafirët janë penalizuar edhe nga një karton i kuq i dhënë në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Telushit.
Kështu, Xhevahir Sukaj shpëtoi Partizanin nga humbja përballë Flamurtarit. Takimi i zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar përfundoi në barazim 1-1.
Vlonjtatët që luajtën thuajse të gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë, pasi Telushi mori karton të kuq, kaluan të parët në epërsi, me Ylli Hoxhën, i cili realizoi 7 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Përpjekjet e Partizanit sollën rezultat në fundin e kohës së rregullt. Xhevahir Sukaj realizoi golin që shmangu një disfatë tjetër në kampionat.
Më herët gjatë ditës së shtunë, Bylisi mundi thellë 4-0 Tërbunin në përballjen luajtur në Ballsh. Kjo është fitorja e parë sezonale ndaj një kundërshtari direkt për mbijetesë për ekipin mallakastriot. Java e 20-të e Kategorisë Superiore do t’i luajë të dielën ndeshjet e tjera.