AlbanianSport.com 02/11/2021 20:40
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, rikthehet në mesjavë me takimet e 4-ta të fazës së grupeve dhe të martën luhen takimet e vlefshme për grupet E, F, G dhe H. Duke nisur nga ora 18:45 janë luajtur dy takime dhe ai i grupit G, midis Volfsburgut dhe Salzburgut, ka parë vendasit të kalojnë të parët pas vetëm 3 minutash lojë, me anë të Bakusë.
Por, pas një gjysmë ore lojë austriakët barazojnë shifrat me një goditje të lirë të Voberit dhe në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë. Në të dytën Lukas Nmeka do të gjejë golin e dytë të Volfsburgut pas një ore lojë dhe skuadra gjermane do ta mbrojë deri në fund fitoren, duke u rikthyer në betejën për kualifikim në këtë grup.
Ndërkaq, një hap të madh përpara në drejtim të kualifikimit për në turin e 16-shes ka bëre edhe kampionia në fuqi e Evropës, Çellsi, që, me një fitore në Suedi në takimin që u luajt më herët me Malmoen, ka konsoliduar pozitat e saj në vendin e dytë të grupit H. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën Hakim Zijeku gjen edhe golin e parë të londinezëve.
Një gol që do të mbetet në fuqi deri në fund dhe Çellsi merr fitoren e 3-të në këto 4 takime të para. Ndërkaq, 6 takimet e tjera të grupeve E, F, G dhe H do të nisin të luhen në ora 21:00, ndërsa takimet e 4 grupeve të tjera, A, B, C dhe D, luhen të mërkurën.