AlbanianSport.com 26/10/2021 21:55
ASNN – Mesjava është e mbushur me futboll në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, teksa po luhen takimet e turit të 32-shes së Kupës së Gjermanisë, por edhe ato të turit të 16-shes së Kupës së Ligës Angleze.
Në takimin më të spikatur të Kupës së Gjermanisë, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH 2, Borusia e Dortmundit ka mundur Ingolshtadtin me rezultatin 2-0, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë të lojës. Dortmundi e ka gjetur golin në pjesën e parë, por ai është anuluar për ndërhyrje të parregullt brenda zonës.
Goli që vlen për vendasit do të vijë në minutën e 72-të, me autor Torgen Hazard. I njëjti autor gjen edhe golin e dytë 9 minuta para fundit të kohës së rregullt. Borusia e Dortmundit fiton kështu 2-0 dhe kualifikohet për në turin e 16-shes, ashtu siç kanë bërë të martën edhe Hertha e Berlinit, 1860 Mynih, Hofenhaimi dhe Lajpcigu.
Ndërkaq, edhe të mërkurën do të vijë një tjetër takim i Kupës së Gjermanisë, pasi Bajer Leverkuseni do të përballet me Karlsruhen, në takimin që do të transmetohet në RTSH Sport, duke nisur nga ora 18:25. Kurse duke nisur nga ora 20:40, vjen në RTSH 1 superpërballja Borusia e Mënshengladbahut-Bajern i Mynihut.