AlbanianSport.com 25/02/2018 09:55
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën pasdreke 3 nga 5 ndeshjet e grupit A dhe 4 nga 5 ndeshjet e grupit B, të gjitha të vlefshme për javën e 17-të.
Kjo mund të quhet padyshim java e ndalimit të ekipeve kryesuese, teksa Kastrioti është mundur minimalisht në shtëpi nga Besa e Kavajës, ashtu sikundër edhe Besëlidhja është mundur po ashtu me një gol të vetëm në Peshkopi nga Korabi vendas.
Nga kjo ka përfituar ndjekësja më e afërt e krutanëve, Egnatia, që ka fituar 1- në fushën e vet ndaj Burrelit. Dy takimet e fundit të kësaj jave në grupin A, Vllaznia B-Erzeni dhe Dinamo-Tërbuni i Pukës, luhen të dielën, duke nisur nga ora 14:00.
Ndërkaq, në grupin B, Tirana është ndalur në një barazim pa gola në Fier nga Apolonia vendase, kurse 3 takimet e tjera janë fituar nga ekipet vendase. Pogradeci dhe Shënkolli kanë fituar me të njëjtat shifra, 3-0, përkatësisht ndaj Shkumbinit dhe Tomorit, ndërsa Iliria ka ngadhënjyer 3-2 në Fushë-Krujë ndaj Turbinës.
Takimi i fundit i kësaj jave, ai midis Naftëtarit dhe Bylisit, luhet të dielën dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.
Ballshiotët kanë mundësi që, me një fitore në fushën e skuadrës që mbyll renditjen e grupit B, ta shkurtojnë në vetëm 2 pikë largësinë që e ndan nga Tirana kryesuese.